Zvicra është një vend i vogël, i cili përbëhet nga katër regjione të ndryshme gjuhësore. Në këto zona fliten katër gjuhët zyrtare të vendit: Gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht.
Por në regjionet e ndryshme ju do të gjeni pak a shumë mënyra të ndryshme jetese. Zvicra është një komb me vullnet: Ajo nuk formon as etnikisht, as gjuhësisht, as nga feja një njësi.
Ndërtimi i shtetit në Zvicër është federalist dhe ndahet në tre nivele politike: Federata, kantonet dhe komunat. Kushtetuta e federatës formon rregullin themelor dhe cakton parimet më kryesore të bashkëjetesës. Ajo përcakton ndarjen e detyrave ndërmjet federatës dhe kantoneve dhe kompetencat e autoriteteve.
Federata është emërtimi zviceran për shtetin kombëtar. Fjala tjetër e përdorur më shpesh për këtë është konfederata. Federata është kudo kompetente, atje ku kushtetuta e federatës e autorizon për këtë. Kështu për shembull në vendosjen e normave të vlefshme ligjore në mbarë vendin, në politikën e jashtme dhe atë të sigurimit ose në rast të doganës ose në çështjet financiare. Detyrat, të cilat nuk janë shprehimisht çështje të federatës, bien në kompetencën e nivelit tjetër të mëposhtëm: të atij të kantoneve.
Zvicra përbëhet gjithsej nga 26 kantone. Kantonet, shpesh të quajtura edhe vende, janë shtetet fillestare, të cilat u bashkuan në vitin 1848 në federatë. Çdo kanton ka një kushtetutë vetjake, një parlament vetjak, një qeveri dhe gjykata.
Si të gjitha kantonet, kantoni Schaffhausen është i ndarë në komuna. Rreth një e pesta e komunave ka një parlament vetjak. Këtu populli mund të vendosë direkt vetëm në rast të pyetjeve të rëndësishme mbi referendumin shtesë ose të detyrueshëm. Katër të pestat e komunave të Schaffhausen-it janë organizuar si demokraci direkte. Vendimet merren këtu në kuvendin e komunës. Komunat mbajnë me porosi të federatës dhe të kantoneve regjistrin e banorëve. Ato vendosin përveç kësaj mbi çështjet e shkollës dhe ato sociale, furnizimin me energji, ndërtimet e rrugëve dhe planifikimin e vendit ose për taksat komunale. Vëllimin e autonomisë së komunave e vendosin kantonet e veçanta. Prandaj kjo e drejtë është e ndryshme.